Histori Adoptimi

Azemi, djali që adoptoi qenushin e qendrës së qytetit!

“Kafeti” është qenushi në foto, i pagëzuar me këtë emër nga stafi i qendrës tonë veterinare. Ai ishte trajtuar më herët nga mjekët, duke iu nështruar procesit të sterilizimit dhe matrikullimit dhe duke pasur si zonë qëndrimi pjesën e qendrës së qytetit. Por, për qenushin kishte shpesh ankesa dhe qëllimi kryesor i stafit mbetej adoptimi i tij nga dikush që vërtet ishte i përkushtuar ndaj kafshëve. Në fakt, i tillë është adoptuesi i “Kafetit”, djaloshi Azem Hajdari. Tashmë qenushi ka një familje adoptuese, ndaj i jemi falenderues Azemit që vendosi ta largojë nga situata e rrugës katërputroshin

Nga Elbasani për të adoptuar katërputrosh në Tiranë!

Rastet e adoptimit nga qendra jonë veterinare, vijojnë të kenë histori nga më të ndryshmet dhe nga më motivueset. I tillë është edhe adoptimi i zonjës Pranvera Nallbati, e cila jeton në qytetin e Elbasanit, por vendosi të marrë në shtëpinë e saj një katërputrosh nga Qendra Veterinare e Bashkisë Tiranë. Zonja Pranvera zgjodhi pas propozimit të veterinerëve tanë, t’i falë një familje qenushit në fotografi, i cili ishte marrë më herët nga zona e njohur si “Oxhaku” në Tiranë dhe ishte trajtuar sipas protokolleve veterinare në fuqi. Falenderojmë zonjën Nallbati për gjestin e saj frymëzues dhe ftojmë këdo që dëshiron të adoptojë qenushë endacakë, të aplikojë përmes web faqes tonë zyrtare ne seksionin “Kërkesë për Adoptim”.

Qenushi gjen familje adoptuese në Itali!

Kjo është historia frymëzuese e Sonilës dhe qenushit që gjeti shtëpi përtej detit. Sonila Rushiti një kafshëdashëse e dedikuar jeton mes Shqipërisë dhe Italisë prej vitesh. Ajo kujdeset për një katërputrosh, por dëshira për të shpëtuar dhe marrë në adoptimin edhe një tjetër qenush, e solli atë pranë dyerve të qendrës veterinare të Bashkisë Tiranë. Gjatë ditëve që kishte vizituar familjen në Tiranë, Sonila aplikoi tek ne për adoptimin pasi u informua mbi punën e AMK-së me këtë proces. Veterinerët tanë i propozuan kafshëdashëses qenushin e vogël, i cili ishte marrë dhe më pas trajtuar nga zona e Tufinës. Takimi mes tyre qe “dashuri me shikim të parë”. Tashmë qenushi nga Tirana jeton në Bolonja bashkë një tjetër katërputrosh, pjesë e familjes Rushiti duke i dhënë atij dashurinë e munguar.

Adopto, mos bli!

Pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë kushdo mund të aplikojë për të adoptuar një katërputrosh, mjafton të plotësojë rregullat e mirëpërcaktura. Duke u bërë pronar i përgjegjshëm, ju nuk keni nevojë të shpenzoni para për të blerë dashurinë e një kafshe, përkundrazi duke adoptuar i jepni një mundësi të dytë qenushave endacakë. Ndaj, jemi mirënjohës për këdo që aplikon pranë qendrës tonë, si rasti i zonjës Desara Zelia. Ajo është bërë pronare e qenushit në fotografi, i cili endej në zonën e Laprakës, por tashmë ka një shtëpi.

Pas marrjes së shërbimit të “Veterinerit Lëvizës” vendos të adoptojë!

Ndihma që Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve, po jep tashmë prej muajsh ndaj komunitetit të kafshëdashësve nëpërmjet shërbimit të “Veterinerit lëvizës”, ka bërë që shumë prej tyre të vendosin t’i adoptojnë qenushët për të cilët kujdesen nga rruga. E tillë është edhe historia e zonjës Violeta Xhaja, e njohur si vullnetare në zonën e Laprakës, nga ku kujdeset prej vitesh për disa katërputroshë, të cilët i janë nënshtruar me herët protokollit veterinar të Bashkisë Tiranë me sterilizim, vaksinim dhe matrikullim.  Pasi aplikoi dhe mori disa muaj më parë shërbimin e “Veterinerit Lëvizës” për qenushët që kujdesej, duke garantuar kështu edhe shëndetin publik të komunitetit në zonë, Violeta vendosi të bëhet pronare e rregullt e dy prej tyre, për t’i shkëputur nga endja në rrugë dhe gjetja e një strehëze private.

Dy qenushë i bashkohen strehëzave të animalistëve!

Bashkëpunimi me animalistë të ndryshëm të kryeqytetit, por jo vetëm, vijon të jetë ndër prioritetet tona, kur flitet për gjetjen e një zgjidhje për katërputroshët endacakë. Ndaj, mirëpresim gjithmonë me kënaqësi aplikimet për adoptim të kafshëdashësve, të cilët njihen mes komunitetit të tyre për vullnetarizmit ndaj qenushve. Të tilla janë dhe rastet në fotografi, ku dy zonjat, Viola Kusi dhe Eva Baboçi  japin prej vitesh kontributin e tyre për katërputroshët e braktisur, duke u kujdesur për ta në mini-strehëza private që kanë krijuar. Të dy qenushët vinin nga zona të ndryshme të Tiranës fatkeqësisht të braktisur nga ish pronarët e tyre dhe pasi iu nënshtruan protokolleve veterinare të mjekëve tanë, iu bashkuan të tjerë katërputroshëve, për të cilët kujdesen zonjat.

Në ndihmë të qenushit të verbër

Qenushi i “ish- ekspozitës”, kështu njihet nga komuniteti i zonës katërputroshi në fotografi. Ai prej vitesh qëndronte në këtë territor, madje ishte trajtuar më herët me protokollet veterinare nga ekipi i Qendrës Veterinare të Bashkisë. Por, me kalimin e viteve, qenushi nisi të plakej ku humbi dhe shikimin nga njëri sy duke bërë që jeta e tij në atë terren, të bëhej e vështirë. Për këtë arsye, specialistët tanë të Sektorit Veterinar, këshilluan vullnetarët e zonës që ta adoptonin qenushin për të cilin kujdeseshin prej vitesh. Ai nuk mund të lihej në atë gjendje, duke qenë se shikimi i munguar, do të bëhej shkak për një aksident në rrugë. Zonja Evi Koja, të cilën e falenderojmë për gjestin human, është tashmë pronarja e tij. Pas marrjes së katërputroshit nga qendra veterinare, zonja Koja e ka dërguar atë në një strehimore private, ku nuk i mungon siguria, kujdesi dhe dashuria.

Dashuri pa kushte, por edhe detyrime!

Të jesh pronar i një katërputroshi do të thotë të marrësh dashuri pa kushte, por nga ana tjetër ka edhe një sërë detyrimesh ndaj qenushit që vendos të jetë pjesë e familjes. Qenushi në fotografi, për të cilin kujdesej zonja Anila Hoxha, ishte një katërputrosh endacak dhe pa pronar. Pavarësisht dashurisë që i jepte vullnetarja,  ai vijonte të endej në territorin e qendrës së Tiranës i patrajtuar me protokollet veterinare. Për këtë aryse, por edhe duke dashur të japim një mesazh mbi rëndësinë që vjen kur vendos të jesh pronar i një katërputroshi, stafi ynë këshilloi zonjën Anila ta adoptonte atë duke plotësuar rregullat e Qendrës Veterinare. Qenushi u trajtua nga mjekët tanë dhe tashmë ka një pasaportë, ku njihet si qenush me pronar i familjes Hoxha.

Histori e njëjtë, katërputroshë të ndryshëm!

Gjatë marrjes së kërkesave të ndryshme nga qytetarët, shpesh specialistët e Sektorit Veterinar ndeshen dhe me ankesa mbi katërputroshë të caktuar endacakë, të cilët janë të keqtrajtuar nga komuniteti i zonës ku ata jetojnë. Ky është dhe rasti i dy qenushëve që janë në foto, edhe pse të ndodhur në  lagje të ndryshme të Tiranës. Ata mbaheshin prej disa muajsh në ambientet e Qendrës Veterinare dhe fatmirësisht të dy katërputroshët u adoptuan nga vullnetarë pjesë e komunitetit të kafshëdashësve. Zoti Arben Kasa vendosi të mbajë në oborrin e shtëpisë së tij qenushin kaf ndërsa zonja Velie Mata, po ashtu duke plotësuar rregullat e adoptimit e mori pranë shtëpisë së saj katërputroshin e vjetër. I falenderojmë për përkushtimin e tyre ndaj kafshëve të braktisura.

Një qenushe jo si të tjerat, gjen familje!

Sot në ditën ndërkombëtare të qenushave, ku mesazhi kryesor është adoptimi i tyre, jemi të lumtur të ndajmë një tjetër histori frymëzuese. Qenushja që shikoni në fotografi u gjet nga punonjësit tanë rreth tre muaj më parë, në zonën e Selitës. Mendohet të ishte e aksidentuar, për shkak se nuk i lëvizte gjymtyrët e pasme dhe qëndronte prej ditësh në rrugë. Pas trajtimit disa mujor në Qendrën Veterinare të Bashkisë Tiranë, katërputroshja i kishte të pakta mundësitë për adoptim, për shkak të dizabilitetit në lëvizje. Por, stafi veterinar i qendrës së Bashkisë Tiranë nuk qëndroi indiferent, ndaj pas kontaktit me dashamirës të kafshëve, adoptimin e qenushes e mori përsipër zonja Afërdita Halili, e cila kujdeset dhe për qenushë të tjerë, të adoptuar nga qendra jonë. I jemi falenderues çdo kafshëdashësi që vijon të zgjedhi të adoptojë nga Qendra Veterinare e Bashkisë Tiranë, sidomos në raste të veçanta si ky i kësaj qenusheje.

Vijojnë adoptimet në qendrën veterinare

Edhe pse jemi në stinën e pushimeve,  adoptimet e katërputroshëve vijojnë në Qendrën Veterinare të Bashkisë Tiranë.  Këtë herë ishte radha e këtij qenushi, i cili prej pak kohësh qëndronte pranë qendrës tonë, ku kishte marrë edhe trajtimet e nevojshme.  Zonja Teuta Skënderi, një kafshëdashëse dhe dashamirëse e njohur pranë komunitetit të vullnetarëve, vendosi të aplikojë dhe t’i japë një shans të dytë katërputroshit zeshkan, duke e marrë pranë shtëpisë së saj. Ftojmë këdo që dëshiron t’i japë dashuri një qenushi dhe të marrë po aq nga ai, të aplikojë përmes website zyrtar të Agjencisë duke u bërë pjesë e fushatës së adoptimeve.

Muaj pritjeje që u kurorëzuan me sukses!

Qenushi në fototografi ishte marrë nga ekipi ynë i terrenit në zonën e “Varrit të Bamit”. Pasi iu nënshtrua procesit të vaksinimit, sterilizimit dhe matrikullimit nga mjekët veterinerë, katërputroshi po qëndronte i strehuar përkohësisht prej disa muajsh, në Qendrën Veterinare. Kjo për faktin se komuniteti i banorëve ku ai qëndronte më parë, nuk pranonte kthimin në habitat të tijin. Pas një komunikimi mes stafit të Qendrës dhe vullnetarëve të zonës, qenushi u vendos të adoptohej nga zonja Valbona Geci, e cila pranoi të kujdesej nga afër për qenushin. Inkurajojmë çdo vullnetar dhe kafshëdashës t’i bashkohet nismës së adoptimeve pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë.

Qenushi i “Ali Demit” që tashmë ka një shtëpi të ngrohtë!

Një histori sa e veçantë dhe jo fort e zakonshme kjo e katërputroshit në fotografi, i cili njihej nga komuniteti i vullnetarëve të zonës së “Ali Demit”. Habitati i këtij qenushi ishte territori pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale 325, njohur ndryshe si “Burgu i Grave”. Ai kishte rënë në sy të një punonjëse të institucionit siç ishte zonja Dalina Pepa, e cila herë pas here kur merrte turnin e radhës, kujdesej për të. Mirëpo qenushit i erdhi radha të trajtohej, duke iu nënshtruar proceseve si sterizilizimi, vaksinimi dhe matrikullimi që veterinerët e Bashkisë Tiranë aplikojnë tashmë prej disa vitesh. Zonjës Dalina i mungonte katërputroshi të cilin nuk po e shihte më në hyrje të punës së saj, ndaj përmes kërkesës për adoptim pranë Qendrës Veterinare, vendosi ta marrë në shtëpi duke i dhënë qenushit një ambient plot dashuri..

Rex “ vogëlushi ” që gjeti familje në prag të ditëlindjes!

Një qenush vetëm 4 muajsh kur u gjet nga specialistët e Qendrës Veterinare dhe u soll pranë saj. Kjo është historia e Rex-it, e cila nis njëjtë me atë të dhjetra katërputroshëve endacakë. Qenushi që u pagëzua me emrin Rex, pasi u trajtua nga mjekët veterinerë të Bashkisë Tiranë. Në prag të vigjiljes së tij të parë, Rex ishte me fat pasi gjeti dashurinë e një familjeje. Taulant Spahiu, erdhi bashkë me babain e tij pasi kishte aplikuar për të adoptuar një qenush të pastrehë. Takimi i tyre qe ai i dy shokëve për kokë, miqësi që urojmë të zgjasë gjithmonë!

Një grup vajzash me instiktet e forta të nënës!

Kjo është historia e veçantë e Vanesa Isarajt, vajzës nga Tirana, e cila bëri bashkë mikeshat e saj më të ngushta, me një qëllim tepër të rëndësishëm për të. Në lagjen ku Vanesa jeton, në rrugën 5 Maji, pjesë e komunitetit aty ishte dhe qenushja në foto, e cila u soll pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë për trajtim. Por qenushja nuk erdhi vetëm pasi bashkë me të, ishin edhe shtatë këlyshët  e saj të vegjël. Vanesa vendosi të adopotojë katërputroshen, por kurrësesi nuk donte që ta ndante nga këlyshët e saj. Zgjidhja?! Shoqet e saj, u bënë adoptueset e tjera të këlyshëve në mënyrë që qenushja të ishte sa më afër tyre. E falenderojmë Vanesën dhe miket e saj për këtë gjest kaq të bukur dhe inkurajojmë këdo që dëshiron të adoptojë qenushë endacakë, të aplikojë pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë.

Një qenush i vogël, pjesë e familjes së zonjës Meropi Rushiti!

Qendra Veterinare e Bashkisë Tiranë, vijon të mirëpresë çdo kërkesë për adoptim katërputroshësh. I tillë ishte dhe rasti i zonjës Meropi Rushiti, e cila njihet mes komunitetit kafshëdashës së qytetit të Tiranës, si një prej vullnetareve të hershme. Kontributit të saj në dobi të qenushëve endacakë, iu shtua edhe adoptimi i një katërputroshi të vogël.  Qenushi ishte trajtuar më parë nga mjekët veteriner dhe ishte zgjedhja e vetë zonjës Meropi, për të strehuar pikërisht këtë qenush të vogël.

Topi, qenushi që solli gëzim në familjen Barmashi!

Fushata ndërgjegjësuese që Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit zhvilloi gjatë muajit Prill mbi kujdesin ndaj katërputroshëve, ra në sy edhe të një vogëlusheje tepër speciale, ajo e familjes Barmashi.  Pas aktivitetit të veterinerëve me fëmijët e kopshtit jo publik “Buçko”, pranë Qendrës në zonën e ish-Kombinatit, vajzës 5 vjeçare i mbeti në mendje një nga qenushët e vegjël, i cili shfaqej në foto teksa ushqehej. Vogëlushja përfitoi nga fakti që familja e saj është banore rezidente në zonën ku ndodhet Qendra jonë Veterinare, ndaj e pati të lehtë të bindte babain e saj, Miklovanin për të parë nga afër qenushin e pagëzuar me emrin “Topi”. Dashuri me shikim të parë qe ajo e Topit me vogëlushen, e cila tashmë e ka adoptuar qenushin duke sjellë gëzim në familjen e tyre, por me siguri edhe në zemrën e katërputroshit të vogël.

Si gjeti shtëpi qenushi për të cilin banorët ankoheshin!

Edhe pse i trajtuar më herët nga mjekët veterinerë të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, qenushi nuk pranohej nga komuniteti i banorëve të zonës së Astirit. Për këtë arsye, pas disa ankesave nga qytetarët katërputroshi endacak u mor për tu strehuar përkohësisht pranë Qendrës Veterinare. Duke pasur në fokus adoptimin e tij sa më të shpejtë, stafi i Qendrës e vuri të parin në listë pas çdo kërkese për adoptim që vinte. Tashmë qenushi e gjeti familjen e tij, pasi Azbiela Meta  një prej kafshëdashëseve dhe vullnetareve të qytetit vendosi ta adoptojë atë, duke plotësuar rregullat e mirëpërcaktura nga ne. Faleminderit Azbielës, e cila i dha padiskutim një mundësi të dytë këtij qenushi të pastrehë.

Nga Durrësi për të adoptuar pranë Qendrës Veterinare, Tiranë!

Një vajzë e vogël në dukje, por me zemër të madhe! E tillë është historia e Mafalda Asllanit, 20 vjeçares nga qyteti i Durrësit, e cila ndjek me vëmendje punën që bën Bashkia e Tiranës dhe konkretisht Qendra Veterinare nën administrimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit kundrejt qenushëve endacakë. Mafalda ishte informuar nga rrjetet sociale për mundësinë e adoptimit të katërputroshëve të braktisur. Edhe pse me banim në Durrës, ajo aplikoi online në faqen tonë zyrtare dhe pasi plotësoi kushtet e duhura, u ftua të marrë një prej qenushëve që ishin trajtuar në Qendër. Vajza nga Durrësi zgjodhi një qen të racës “sharr”,  i cili sipas veterinerëve  ishte i braktisur. Tashmë qeni do të ketë një shtëpi të madhe me oborr, shumë dashuri nga Mafalda dhe familja e saj.

Sonja, nga qenushe e aksidentuar në një shtëpi të ngrohtë!

Historia e Sonjës, për kolegët e Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë, është vërtet një histori suksesi dhe krenarie. Qenushja u mor nga ekipi ynë i terrenit, pas një sinjalizimi të disa banorëve në rrugën “Memo Meto”, në muajin Janar të këtij viti. Ajo u gjet e aksidentuar në rrugë dhe gjymtyrët e pasme nuk i lëvizte aspak.  Pasi u transportua në Qendër përmes mjeteve të posaçme, mjekët veterinerë kuptuan nëpërmjet grafisë që qenushja mund të rehabilitohej.  Ajo nuk kishte dëmtim të palcës,  ndaj me kryerjen e një ndërhyrje dhe kujdesin e treguar nga ana e specialistëve, qenushja që u pagëzua nga stafi i Qendrës me emrin Sonja, arriti të ngrihej në këmbë. Tashmë, qenushja jo vetëm që është kthyer si më parë, por para disa ditësh, një zonjë, pjesë e vullnetarëve kafshëdashës të qytetit, aplikoi për adoptimin e saj duke i dhënë Sonjës një shtëpi. E falenderojmë përzemërsisht zonjën Enkeleda Lapardhaja dhe jemi të bindur që dashuria e shtëpisë së re, do të bëjë që Sonja ta hedhë pas historinë e trishtë.

I braktisur që në lindje, tashmë ka një familje!

Historia e Xhekut nis ngjashëm me atë të mijëra qenushëve të braktisur. Fatkeqësisht dikush që e mori me dëshirën për t’i dhënë një shtëpi, por dhe me qëllim argëtimi, kuptoi shumë shpejt se të jesh pronar i përgjegjshëm ka plot detyrime dhe shërbime ndaj kafshës shtëpiake. Kjo bëri që qenushi të braktisej e të lihej në rrugë. Por, pas kapjes dhe trajtimit nga veterinerët e qendrës tonë veterinare, Xheku tashmë 1 vjeç e gjysmë u adoptua nga Inesi, një kafshëdashëse dhe vullnetare. Jemi të bindur se pronarja e re e Xhekut të vogël do t’i japë atij përkushtim dhe shumë dashuri të munguar. Falënderojmë çdo vullnetar që përmes aplikimit online, plotëson kushtet dhe më pas adopton qenushët endacakë  pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë.

Një edukatore e veçantë për fëmijët!

Të jesh edukatore e fëmijëve të moshës parashkollore është me siguri sa kënaqësi, por edhe mjaft përgjegjësi. Rasti i zonjës Alketa Noka bëhet edhe më i veçantë, pasi ajo i edukon fëmijët me shembullin personal të përkujdesjes për qenushët endacakë. Duke aplikuar pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë, Alketa e cila punon prej vitesh si edukatore në kopshte jopublike, adoptoi dy qenushë endacakë, të cilët trajtoheshin nga veterinerët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Njëri prej qenushëve, siç adoptuesja e tyre na tregoi, dukej që ishte i braktisur nga ish-pronari i tij. Për këtë arsye, ajo zgjodhi t’i rikthejë dashurinë e munguar të një shtëpie. Faleminderit Alketa për kontributin tënd fisnik!

Mjekja që kujdeset për kafshët e braktisura!

Në komunitetin që ajo përfaqëson, zonja Eva Baboçi njihet si një nga zërat më aktivë mbi të drejtat e kafshëve. Ajo ka një përkushtim maksimal ndaj qenve endacakë, të njëjtë me humanizmin që karakterizon dhe profesionin e saj si mjeke stomatologe. Kush e njeh zonjën Eva, e di që ajo nuk kujdeset vetëm për qenushët e zonës ku banon, tek Bulevardi i Ri i Tiranës, por edhe për çdo kafshë tjetër endacake apo të braktisur në qytet, duke shërbyer shpesh herë edhe si ndërmjetëse për adoptimin e tyre jashtë vendit. Këtë herë zonja Baboçi pasi aplikoi pranë Qendrës Veterinare të Bashkisë Tiranë, adoptoi dy qenushë të cilët ishin trajtuar nga mjekët veterinerë. Këta qenushë kanë qenë pjesë e ankesave të qytetarëve të zonës ku ata qëndronin, dhe punonjësit tanë në shërbim të vijueshëm të komunitetit kishin bërë të mundur strehimin e tyre të përkohshëm. Tashmë me adoptimin që zonja Baboçi bëri, dy qentë endacakë gjetën një shtëpi të ngrohtë. Faleminderit për përkushtimin zonja Eva!  

Në ditën e Shën Valentinit, fali dashuri një katërputroshi endacak!

Dashuria dhe çdo formë e të shprehurit të saj, nuk është ekskluziviteti i një dite të vetme. Por, në rastin e historisë së Rigels Shabanit kjo bën përjashtim. Djaloshi nga Tirana ka zgjedhur që këtë 14 Shkurt, Ditën e Shën Valentinit, t’i fali dashuri pa kushte një qenushi endacak, i cili po trajtohej nga Qendra Veterinare e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Rigelsi ka adoptuar kështu qenushin, i cili përveçse i ishte nënshtruar procedurave të trajtimit dhe matrikullimit, po kurohej prej disa ditësh nga veterinerët e Bashkisë Tiranë. E falenderojmë Z. Shabani për gjestin e tij fisnik që këtë Shën Valentin, merr kuptim të veçantë.

adopt

Një mundësi e dytë për pesë qenushë të braktisur!

     Ajo ka mbi dy dekada që i përkushtohet kafshëve endacake të qytetit, aq sa dyert e banesës së saj, strehojnë jo vetëm familjen, por edhe qenushë të braktisur dhe me pamundësi fizike për të lëvizur. Kjo është historia e veçantë e zonjës Afërdita Halili, e cila është bërë pjesë e nismës adoptuese nga Qendra Veterinare e Bashkisë Tiranë, ku trajtohen dhe matrikullohen qentë endacakë të qytetit. Zonja Halili, pasi ka aplikuar dhe përmbushur kriteret që përcakton rregullorja e adoptimit, ka marrë jo pak por pesë qenushë të braktisur, të cilët ishin trajtuar dhe matrikulluar nga ana e veterinerëve të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.  Afërdita është  pronare e pesë qenushëve që tashmë kanë një shtëpi dhe një familje. Falenderimi ynë publik shkon jo vetëm për zonjën Halili, por për të gjithë qytetarët që përmes adoptimeve, japin një mesazh pozitiv dhe vlerë të shtuar të bashkëjetesës në qytetin e Tiranës.