Kjo nismë e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nisi të zbatohet prej muajit Nëntor 2018, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës.
Qëllimi i fushatës është të edukojë tek fëmijët zakonet mbi ushqyerjen e shëndetëshme, siç është marrja e bukës me vete, duke qenë se zakonet mbi ushqyerjen e shëndetëshme në fëmijëri, mund të zgjasin për gjithë jetën. Fushata “Merr bukë me vete ” adresohet tek grupmosha 6 – 10 vjeç dhe prindërit/ kujdestarët apo mësuesit. Qëllimi ka qenë risjellja në vëmendje tek rituali i “Bukës me Vete”, gjatë orarit të pushimit te madh në shkollat publike të Tiranës. Fëmijët, përmes metodologjisë që aplikohet (film i animuar, aktivitete në klasë, fletepalosje udhëzuese për fëmijët, prindërit dhe mësuesit), reflektojnë mbi alternativat e ushqimeve të shëndetshme dhe nxiten të bashkëveprojnë me prindërit mbi ritualin e “Bukës me vete”. Prindërit/kujdestarët ftohen të bëjnë biseda mbi ushqyrjen e shëndetëshme me fëmijët, duke u sugjeruar disa këshilla bazike se si të përgatisin “Bukën me vete” së bashku me fëmijën. Deri më tani fushata është zhvilluar në të gjithë shkollat 9 vjeçare të qytetit, ku 2235 fëmijë të ciklit të ulët janë informuar/edukuar, 3854 prindër janë informuar nga fëmijët dhe mësuesit për të aplikuar ritualin e bukës me vete në shkollë dhe 100 mësues të shkollave 9 vjecare, janë informuar dhe kanë ndihmuar në informimin dhe nxitjen e prindërve për ritualin e bukës me vete. Kjo fushatë ka qenë ndër më të suksesshëm dhe të përkrahurat masivisht nga komuniteti i fëmijëve dhe prindërve të qytetit të Tiranës.